TIRANË, 21 mars/ATSH/ Banorët të cilët nuk kanë mundësi që të paguajnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për lidhjen e kontratave të reja, tashmë mund të përfitojnë nga skemat lehtësuese të ofruara nga Ndërmarrja e Ujësjellësit Divjakë.
Në Divjakë, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve u ka ofruar banorëve të kësaj zone mundësinë që pagesën për lidhjen e kontratës ta bëjnë edhe me këste mujore.
Drejtoria e Ujësjellësit ka mundësuar pagesën e kontratave të reja, e cila kushton 6000 lekë me këste mujore prej 500 lekësh për një vit, pra 12 muaj nga 500 lekë.
Administrata e Drejtorisë së Ujësjellësit, ka dalë në terren për lidhjen e kontratave të reja. Në Çermë Kamp dhe Çermë Pasha, ku janë lidhur kontrata të reja. Iniciativa e Drejtorisë së Ujësjellësit për të bërë pagesën e lidhjes së kontratës duke e mundësuar atë me këste mujore prej 500 lekësh, ka rezultuar efikase dhe lehtësuese pasi rreth 90% e abonentëve kanë zgjedhur që pagesat e tyre t’i bëjnë me këste. 2 fshatrat ku janë lidhur kontrata i përkasin Njësisë Administrative Tërbuf ku gjithsej deri tani janë lidhur rreth 700 kontrata.
/m.z/












