Ballina Ekonomi

ALUIZNI, kompensohen 2300 pronarë tokash

TIRANË, 19 mars/ATSH/ – Rreth 2300 pronarë tokash do të kompensohen për tokën e zënë nga ndërtimet informale, sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave më 13 mars 2019.

Pronarët, të cilët prej vitesh kishin “humbur” të drejtën mbi pronën e tyre, sot do të kompensohen në vlerë monetare për parcelat e zëna.

Në këtë VKM janë trajtuar rreth 700 pasuri, ndërsa numri i personave përfitues është disa herë më i madh (rreth 2300), pasi në secilën pasuri përfshihen emrat e disa trashëgimtarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaron se “ky proces do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe pas krijimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, madje me tendencë përshpejtimi, duke pakësuar një pjesë thelbësore të sorollatjeve burokratike”.

Në pesë vite, Qeveria Shqiptare ka miratuar 35 VKM me lista për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, me një total financiar rreth 4,5 miliardë lekë (rreth 40 milionë USD), ndërsa nga viti 2008-2013 kanë qenë të miratuara vetëm 15 VKM. Nga shifrat zyrtare të ALUIZNI-t rezulton se, në 35 vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave kanë përfituar 16.273 trashëgimtarë. Deri më sot janë trajtuar 2694 pasuri, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje.

Ndërkaq nga ALUIZNI janë në proces përgatitje edhe dy VKM të tjera me emra ish-pronarësh, të cilët do të kompensohen në vijim.

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në 5 vitet e fundit ka kompensuar 16.273 ish-pronarë. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria në Portin e Durrësit, Lleshaj: Institucionet të funksionojnë si një entitet i integruar
Artikulli tjetërNorman: Mbështetje qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar