Basha: Dibra nuk është e varfër, por e vjedhur

TIRANË, 13 mars /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh nga Dibra se “dibranët janë në këmbë, sepse e kanë vrarë frikën të parët, sepse kanë ndezur shpresën dhe kanë vendosur t’i prijnë marshimit tonë të pandashëm të rrëzimit të qeverisë së krimit”.

“Këtu në Dibër në shtator të 2016-ës u bë eksperimenti i parë i Edi Ramës në aleancë me krimin”, tha ai, duke shtuar se 2 vite e gjysëm më pas, masakra e 11 shtatorit 2016 po jep pasojat e veta në çdo vatër dibrane.

“Kudo ku takon fermerë, pensionistë, të rinj duket qartë tradhëtia e Edi Ramës. Po ashtu lexova se Dibra do t’i prijë lëvizjes popullore për të rrëzuar qeverinë”, theksoi Basha.

Po ashtu, Basha shtoi se “Dibra dhe dibranët duan një Shqipëri si gjithë Europa, me zgjedhje të lira. Dibra nuk është e varfër, por e vjedhur”.

“Dosja 184 është fundi politik i Edi Ramës dhe hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafil drejtues të PS-së duke bërë pazare me Imer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota. Arta Marku dhe Donika Prela e mbajnë të fshehur këtë dosje, por drejtësia do të vijë për të gjithë. Të gjithë dibranët dhe socialistët e ndershëm, më 16 mars do të bashkohen në një tjetër protestë vendimtare për largimin e qeverisë dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.