Ballina Ekonomi

Kreditë me probleme/ Reduktimi, impakt në rritjen ekonomike

TIRANË, 8 mars /ATSH/- Rënia e kredive me probleme, krahas impaktit në përmirësimin e aktivitetit ekonomik të vendit, reflekton edhe angazhimin e sektorit bankar në vend në përmbushjen e planit të masave për të ulur kreditë me probleme.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kreditë me probleme në muajin janar të këtij viti shënuan nivelin 11.34% të totalit të huasë. Në vlerë absolute, huaja që nuk kthehet në afat në banka për këtë muaj ishte 60 miliardë lekë, ose rreth 480 milionë euro. Kundrejt 74 miliardë lekë ose 580 milionë euro që ishte në janarin e një viti më parë.

Treguesi i kredisë me probleme është ndihmuar dhe nga gjallërimi i aktivitetit të kredisë në muajin janar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë në fund të muajit janar arriti në rreth 537 miliardë lekë, me një rritje prej 0.72% në raport me fundin e muajit dhjetor. Rritje e cila u mbështet nga zgjerimi i huadhënies në valutë për korporatat, sipërmarrjet dhe bizneset. E cila u rrit me gati 2% në muajin janar 2019, në krahasim me muajin e mëparshëm.

Bankës së Shqipërisë gjithashtu shpjegon se, arsyet e rënies së kredisë me probleme, lidhen edhe me ristrukturimin e kredive, çka ka çuar në fillimin e shlyerjes së huave problematike si dhe të fshirjes nga bilanci të kredive që nuk ktheheshin prej më shumë se tre vitesh.  e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Urë Vajgurore, mbillen pemë të reja në emër të sakrificave të grave
Artikulli tjetërFOTO/ Shkodër, inspektim për ndërhyrjen rehabilituese në urën e Mesit