KLP pranon dorëheqjen e prokurorit Petrit Fusha

TIRANË, 6 mars/ATSH/-Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur të mërkurën në seancë plenare. Në rendin e ditës janë tre pika, teksa u pranua me vendim të KLP pranimi i përfundimit të mandatit të prokurorit Petrit Fusha.

KLP pas vlerësimit të dokumentacionit, deklaroi mbarimin e statusit të magjistratit për prokurorin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Përparim Hasa, për shkak të plotësimit të moshës për daljen e pension.

KLP po ashtu vendosi me shumicë votash mbarimin e mandatit të prokurorit Petrit Fusha në datën 31 Mars 2019 sipas nenin 65,  ligjit 96/ 2016 për statusin e magjistratëve.

Petrit Fusha, Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka dhënë më parë dorëheqjen si prokuror. Kreu i Prokurorisë së Tiranës ka vendosur të largohet nga radhët e organit të hetimit duke paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Tashmë pritet të që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të ndërpresë procedurat për rivlerësimin e subjektit Fusha, për cilin KPK ende nuk kishte përcaktuar një datë për seancën dëgjimore.

Prokurori Fusha në letrën e dorëheqjes është shprehur se tashmë pas 32 viteve punë do të përdorte eksperiencën e tij në dobi të një aktiviteti tjetër.  “Koha në të cilën po jetojmë është tej-ngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta. Një profesionist në moshën time natyrshëm zgjedh me maturi vendin se ku mund të kontribuojë më mirë”, vijon Fusha.

“Ndaj gjykova se Prokuroria nuk është më vendi ku unë mund të shërbej me përvojën 32 vjeçare.  Një përvojë e akumuluar tashmë nga procese hetimore e gjykimi të çdo lloj çështje e niveli”, shton ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.