TIRANË, 27 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi 57 kandidatët për deputetë, duke i vënë në dijeni se iu takon mandati pas dorëheqjes së deputetëve të opozitës.
Përmes postës, KQZ-ja iu ka kërkuar 17 kandidatëve të LSI-së dhe 40 të PD-së të sjellin në komision brenda 10 ditësh formularët e dekriminalizimit.
Numërimi i këtij afati nis ditën kur posta iu dorëzon njoftimin deputetëve, në rast se ky detyrim nuk kryhet, atëherë kandidati humbet të drejtën për të marrë mandatin, dhe ai i komunikohet pasuesit në listën e atij qarku.
Këto shkresa iu janë vendosur për dijeni edhe subjekteve politike PD dhe LSI
Një ditë më parë në një deklarata për mediet nga zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj u tha se në lidhje me çështjen e zëvendësimit të vakancave të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën me dije se, në KQZ mbërritur kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë për plotësimin e vendeve vakante për 57 deputetë të dorëhequr.
“KQZ konfirmon vijimin e procedurave të mëtejshme në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Kandidatët e listës shumë emërore kanë afat 10 ditë për dorëzimin e formularit të vetë deklarimit. Pas verifikimit dhe shqyrtimit nga Administrata e KQZ-së zëvendësimet e vakancave të krijuara, do të kalojnë në mbledhjet publike të KQZ-së”, ka pohuar ajo.






















