Ballina Flash

Thaçi kërkon që rezoluta për bashkimin me Luginën të jetë pjesë e platformës

PRISHTINË, 21 shkurt/ATSH/- Bashkëkryesuesi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti ka konfirmuar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar ekipit që në platformën për dialog të futet edhe rezoluta për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Ahmeti tha se kjo rezolutë nuk është pranuar të jetë pjesë e dokumentit për dialogun, pasi platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka deklaruar ditën e djeshme se do t’i propozojë Kuvendit të Kosovës një draftrezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Bashkëkryesuesi i ekipit të dialogut tha se nuk e di arsyen pse në këtë periudhë vjen një kërkesë që në Kuvendin e Kosovës të votohet një rezolutë e tillë, por siç shprehet ai, u mbetet subjekteve politike të vendosin në këtë drejtim.

“Nuk e kemi parë ende, nuk e kemi diskutuar, është e vështirë për çfarëdo subjekti politik shqiptar që do t’i thotë jo ndonjë kërkese të qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, sepse e dimë se në çfarë kushte kanë jetuar, por shtrohet pyetja në qoftë se kjo kalon tash, cili është mesazhi që po dërgohet, dhe po e them edhe njëherë presim që ta shohim propozimin konkret nga presidenti. Unë po iu them që në mbledhje e ka përmendur ka kërkuar që të futet në platformë. I kemi thënë që nuk futet kjo në platformë, sepse ajo është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe meqenëse nuk është në platforme ai pastaj ka të drejtë t’ia dërgojë Kuvendit”, tha Ahmeti.

I pyetur rreth deklarimeve të presidentit Thaçi se idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, kreu i PSD-së tha se asnjëherë zyrtarisht nuk është përmendur kjo ide nga ndërmjetësuesit e BE-së, por beson se kjo është kërkesë e Serbisë.

“Mendoj se është e qartë se është kërkesë e Serbisë por po e them edhe njëherë zyrtarisht formalisht në takime asnjëherë nuk është përmendur as nga ndërmjetësuesit në Bruksel, as që e kemi dëgjuar  që e ka Serbia, ato çka po dëgjojmë janë supozime, diskutime të pjesshme askush nuk e di se çka do të thonë a është demarkim, demilitim ato janë koncepte komplet të ndryshme. Pra, po përdoren 100 tema për një temë që disa njerëz e dinë por jo të gjithë“, tha i pari i PSD-së.

Ahmeti tha se nuk e di se kur do të mbahet seanca për ta votuar platformën e dialogut, por ata si ekip janë të gatshëm qysh javën e ardhshme ta kalojnë në Kuvend.

I pyetur se a është mbajtur takimi i ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ku do të diskutohet rreth taksës, Ahmeti tha nuk do të jenë më pjesë e takimeve që diskutohet për taksë, pasi ai është vendim i Qeverisë së Kosovës, pjesë e të cilit nuk është partia që ai udhëheq.

Gjatë ditës së djeshme, Presidenti Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht kërkon korrigjimin e kufirit me Serbinë, ka thënë se idenë e korrigjimit e  ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellë pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Kosovën. /kosovapres/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFleckenstein: Opozita prishi kontratën, deputetët duhet ta kryejnë punën në parlament
Artikulli tjetërCakaj – Mogherini: Vendosmëri për të avancuar procesin e integrimit të Shqipërisë