TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, u shpreh sot në një intervistë televizive lidhur me djegien e mandateve nga opozita, duke theksuar se nuk mund të shkëmbehet në tavolinë, vetëm që lideri i opozitës Lulzim Basha të vijë në pushtet.
“Jam shumë e keqardhur që disa kolegë tanë të opozitës nuk gjetën forcën për të tejkaluar interesat partiakë dhe për të qenë në nivelin e interesave të shqiptarëve. Ajo çfarë ndodhi sot është krejtësisht e pavend dhe e paprecedent dhe pikërisht ne sot pamë se interesat e drejtuesve të partive të opozitës u vendosën mbi interesat e qytetarëve. Unë besoj se frika nga institucionet e drejtësisë që do të funksionojë tashmë, një drejtësi e kërkuar prej shumë shqiptarësh, bëri që të merreshin edhe këto akte të paprecedenta. Ne dhe të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bërë thirrje jo vetëm për ti thënë jo dhunës, jo vetëm pro demokracisë dhe funksionimit të tyre demokratik të institucioneve. Ne nuk mund të shkëmbejmë pushtetin që na kanë dhënë qytetarët në tavolinë, vetëm që Basha të vijë në pushtet”, – u shpreh Gjylameti.
Gjylameti vijoj më tej, duke i bërë thirrje opozitës që të reflektojë lidhur për aktin e djegieve të mandatit dhe të vendos përpara interesave partiake, ato të shqiptarëve.
“Mendoj sërish se është ende në kohë për të reflektuar nga kolegët tanë të opozitës, pasi mbi të gjitha do të duhet të mbivendosin interesat e shqiptarëve dhe atyre që i kanë votuar, kundër interesave të tyre për të ardhur në pushtet. Zoti Rama e ka thënë, po ashtu të gjithë ne përfaqësuesit e PS-së jemi të hapur për të diskutuar, për të dialoguar, për të negociuar për të arritur t’i themi po rrugëtimit tonë drejt BE-së dhe ky lloj ngërçi e pengon një gjë të tillë. Ne jemi në një moment të rëndësishëm në Shqipëri, një moment që vendosi një nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim që ishte reforma zgjedhore. Unë si bashkëkryetare e Reformës Zgjedhore, atë që kemi kërkuar që në fillim me të gjithë anëtarët e opozitës për t’u rikthyer dhe për të thënë një po, do të duhet që të gjithë të tejkalojmë interesat personalë. Ne kemi marrë një mandat nga qytetarët shqiptarë, nuk mendoj se kemi qenë të pagabueshëm gjatë qeverisjes, por mbi gjithçka kemi vendosur interesat e shqiptarëve”, – theksoi Gjylameti.
/m.z/r.e/






















