FOTO/ “Boeing Boeing” rikthehet pas kërkesave të publikut

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ – “Boeing Boeing” komedia me e suksesshme e viteve të fundit u rikthye përsëri mbrëmjen e djeshme për t’i falur të qeshura pafund publikut në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”.

Kjo komedi u rikthye pas kërkesave të shumta të publikut, i cili e ka vlerësuar si ndër komeditë më të mira e ku salla e teatrit mbushet plot sa herë kjo shfaqje ngjitet në skenë.

Teatri bën me dije se janë shitur të gjitha biletat për shfaqjen e cila do të jetë përsëri sonte dhe nesër pranë publikut.

“Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Në vepër janë tri stjuardesa, njëra më e bukur se tjetra, një franceze, një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert, lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën.

Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata falë mikut të tij, Robert.

Situatat komike mes personazheve dhe mesazhet sociale të veprës do shoqërojnë publikun dhe gjatë këtyre ditëve. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.