TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, për vitin 2019 janë miratuar 495 vende vakante.
Këshilli i Ministrave miratoi sot planin vjetor të pranimit për vitin 2019 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil.
Sipas vendimit, numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2019, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, do të jetë gjithsej 495 veta, i ndarë sipas kategorive.
Konkretisht për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues janë 8 vende vakante; për kategorinë e mesme drejtuese 62 vende vakante; për kategorinë e ulët drejtuese 190 vende vakante; për kategorinë ekzekutive 235 vende vakante.
Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë: shkenca juridike; audit i brendshëm; shkenca ekonomike; shkenca ekonomike/juridike; shkenca shoqërore; shkenca sociale; histori-filologji; shkenca mjekësore; veterinari; agronomi; shkenca biologjike dhe të ngjashme me to; kimi; shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme; shkenca inxhinierike; arkitekturë; arkeologji dhe restaurime; artet e bukura; gjeodezi; shkenca ekzakte; shkenca edukimi; mësuesi; arsim i lartë ushtarak/policor; arsim i lartë./m.m/r.e/























