Kuko: Kemi arritur fitore historike në luftën kundër kanabisit

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Largimi i Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit është një arritje historike.

Kështu i cilësoi zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko gjatë një interviste televizive, arritjet e Policisë së Shtetit për çrrënjosjen e këtij fenomeni nga vendi ynë.

“Sot në vitin 2019 ku ne komentojmë arritjet e vitit 2018, shikojmë që kemi arritur një fitore historike kundër luftës së kanabisit. Nëqoftëse në vitin 2013 ne kemi patur 323 hektarë tokë të mbjellë kanabis, në vitin 2018 kishim 0,8%, çka është një rënie drastike. Gjenerali i Guardia di Finanza përmendi sot një shifër dhe tha se janë bërë 40% më shumë fluturime, çka do të thotë që ka patur një mbulim më të madh të territorit, i cili duhet të sillte zbulueshmëri më të lartë nëse do të kishte kultivim të kanabisit dhe tha që ka arritur në 25,5% të mbulimit të territorit nga fluturimet. Çka do të thotë që nëse heqim zonat e banuara, tokat bujqësore në Republikën e Shqipërisë, apo zona të tjera që nuk kanë potencial për kultivim, 25,5% e monitoruar është e barabartë me 100% e të gjithë zonës potenciale për kultivimin e kanabisit”, – u shpreh Kuko.

Duke u ndalur te drogat e forta, Kuko theksoi se Shqipëria nuk është kultivuese e tyre, duke hedhur poshtë artikujt të cilët e konsiderojnë vendin tonë si Kolumbinë e Europës. Kuko vijoi më tej duke u shprehur se autoritetet ligjzbatuese kanë një vëmendje të shtuar për goditjen e grupeve të strukturuara kriminale.

“Shqipëria nuk mund të jetë Kolumbia e Europës, pasi Shqipëria nuk kultivon drogëra të forta. Njihen rrugët e Ballkanit të trafikut të lëndëve narkotike, krimi dhe trafiqet janë transnacionale dhe nuk janë kombëtare, nuk është një fenomen shqiptar. Vëmendja jonë tani do të jetë në goditjen e grupeve kriminale, sekuestrimin e aseteve të tyre dhe bllokimin e tyre për të zhvilluar trafiqe. Faktet dhe shifrat janë kokëforte dhe sot nuk besoj se dalin dy gjeneralë të Guardia di Finanza, komentojnë dhe japin përshtypjet e tyre, disi edhe me tone emocionale për këto arritje që ka arritur Shqipëria. Nuk mendoj se ambasadori i Bashkimit Europian dhe nuk mendoj se e Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane del dhe përgëzon autoritetet shqiptare, për diçka e cila nuk qëndron”, – u shpreh Kuko.

Duke u ndalur te protesta e paralajmëruar e opozitës në datën 16 shkurt, zëvendësministrja bëri me dije se policia ka hartuar një plan të gjerë masash dhe se kjo protestë do të monitorohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.