TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ – Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton kriteret dhe rregullat, që duhet të plotësojë një zonë territori për t’u quajtur zonë e mbrojtur mjedisore.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, qëllimi i përgjithshëm i sistemit të zonave të mbrojtura mjedisore është rritja e efektivitetit të ruajtjes së biodiversitetit, nëpërmjet qasjes dhe të kuptuarit të rolit të Zonës së Mbrojtur Mjedisore (ZMM) në përmbushjen e angazhimeve kombëtare të konservimit të biodiversitetit, në përputhje me objektivat e menaxhimit, të caktuar në dokumentet strategjike të mjedisit dhe biodiversitetit.
Procesi i zonimit është një formë e rregullimit të përdorimit të territorit të zonës së mbrojtur mjedisore (bujqësore, pyjore, kullosore, ujore, lagunore, liqenore, bregdetare, detare, malore, joprodhuese, urbane/troje, etj.), që përfshin ndarjen në nënzona me status mbrojtjeje të ndryshëm, duke marrë parasysh kriteret e Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), përcaktimin e objektivave të menaxhimit të ZMM-së, rregullimin publik e privat të karakterit dhe intensitetit të përdorimit të tyre, në përputhje me ruajtjen e vlerave ekologjike, të biodiversitetit, peizazhit dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të balancuar.
Vendimi parashtron objektivat që duhet të mbushë një zonë e mbrojtur, metodologjinë dhe zhvillimin e planit për nënzonimin e zonave të mbrojtura mjedisore.
Ngarkohet ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi, citon relacioni. /e.xh/ /a.g/























