Spaho: Zgjidhja për gjendjen në vend janë protestat

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ – “Zgjidhja për të dalë nga kjo gjendje për të shpëtuar nga vjedhja e votave është dalja në protestë”, ka deklaruar sot në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së Edmond Spaho.

Duke folur në foltoren e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së Spaho u shpreh se grupet e krimit zotërojnë vendin në Tiranë, Durrës e Vlorë. “Mijëra tonë drogë i dërgojmë Europës, me qindra vrasje në vend”, tha ai.

“Opozita ka gjashtë vite që thotë se zgjedhjet kanë marrë fund në Shqipëri, që kur Rama erdhi në pushtet në vitin 2013. Historia e vjedhjeve të votave u përsërit në zgjedhjet 2015 dhe në ato të përgjithshme në vitin 2017”, shtoi Spaho.

“A mund të besojë opozita për zgjedhje të ndershme? A mundet të besojë opozita se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të pengojnë mazhorancën të vjedhë votat? Tani është e qartë pse u rrëzua Vetingu në politikë, sepse ju nuk vini në pusht pa manipuluar zgjedhjet. Kazani është mbushur, koha ka ardhur për t’u përmbysur dhe ka vetëm një rrugë, ajo e protestave”, tha Spaho, duke ftuar qytetarët në protestë më 16 shkurt. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.