Ballina Flash

Haradinaj bën thirrje për uljen e çmimit të naftës

PRISHTINË, 26 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, u ka kërkuar autoriteteve përgjegjëse si dhe kompanive që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë, që të ulet çmimi i naftës, konform çmimit të tregut.

Përmes një postimi në “Facebook” Haradinaj shprehet se çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.

“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë. Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë shtoi se dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm.

“Kjo po ndodh nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”, tha Kryeministri. /KosovaPress//a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Shpërthimi i Etnës shkakton 10 të plagosur
Artikulli tjetërDitët e fundit të vitit, intensitet punimesh në kantieret e mëdha të infrastrukturës kombëtare