TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe sipërmarrja private, do të bashkëpunojnë ngushtësisht, për të lehtësuar proceduarat doganore.
Ministrja e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato, tha se u dakordësua për ngritjen e një komunikimi më të shpeshtë ndërmjet sipërmarrësve dhe Drejtorisë së Doganave, me qëllim zgjidhjen e problematikave më frekuente.
Ky nivel i ri bashkëpunimi erdhi si fryt i takimit të dhomave tregtare në vend, dhe përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku u ballafaquan problematikat që hasin bizneset gjatë aktivitetit të tyre në Dogana.
Ministrja Sonila Qato, theksoi se gjatë takimit u diskutua edhe mbi iniciativat e ndërmarra së bashku në takimet e shkuara.
“Tashmë është vërtetuar se së bashku po forcojmë përditë e më shumë bashkëpunimin ndërmjet dhomave dhe shoqatave të biznesit me njëra tjetrën, duke konsoliduar kështu zërin e çdo sipërmarrësi në Qeveri”, deklaron Qato. /o.l//a.g/













