TIRANË,15 dhjetor /ATSH- I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbështetur mbrëmjen e së shtunës protestën e banorëve të “Unazës së Re”, duke i bërë thirrje qytetarëve dhe partive opozitare, për t’u bashkuar me protestën e studentëve.
Basha tha sot se “Shqipëria është e gjitha në protestë dhe ne mbështesim protestën e studentëve”.
“Sot banorët e ‘Unazës’ kanë protestuar me studentët. Ka dy ditë që kërkojnë që shqiptarët t’u bashkohen atyre, përfitoj nga rasti nga “Unaza e Re” për t’u bërë thirrje shqiptarëve, mbështetësve të opozitës, partive opozitare, që t’i bashkohen protestës së studentëve”, – theksoi Basha.
Po ashtu, Basha tha se mbështet tetë pikat e studentëve duke kërkuar shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.
“Partia Demokratike mbështet tetë pikat dhe kërkojmë realizimin e tyre. Ndërkohë, PD ka tre vite që kërkon shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili është burimi i krizës dhe degjenerimit të arsimit. Ftesa ime sot është që t’u bashkohemi protestës së studentëve për t’i treguar qeverisë se ne nuk i lemë vetëm”, – tha ai./e.caushi/











