Ballina SPORT

Leonardo: Ibrahimoviç nuk do të vijë te “Milani”

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Pas ditësh të tëra me komente të ndryshme, më në fund drejtori sportiv i “Milanit”, Leonardo, sqaroi se Zlatan Ibrahimoviç nuk do të kthehet te kuqezinjtë.

Në një deklaratë të dhënë në përfundim të ndeshjes “Milan”-“Torino”, braziliani theksoi dëshirën e kuqezinjve për të sjellë në Milano gjigantin suedez, por tregoi edhe shkaqet që bënë që kjo marrëveshje të mos realizohej.

“Do të ishte shumë bukur që të kthehej, pasi është një lojtar i madh, që e njeh mirë ambientin e ‘Milanit’, por përfundimisht Ibrahimoviç nuk do të vijë te ne në muajin janar.

Drejtori sportiv i kuqezinjve foli edhe për afrimin e parë të merkatos së janarit, fantazistin brazilian Paqueta, i cili ishte mbrëmë në shkallët e “San Siros”, por edhe për mesfushorin e mirënjohur spanjoll të “Chelseat”, Cesc Fabregas.

“Paqueta është një djalosh i ri, por që do të na japë një dorë në objektivat tanë. Nëse na rikthehen lojtarët e dëmtuar, do të kemi më shumë alternativa loje. Sa i përket Fabregas, po bëjmë vlerësimet tona, por nuk ka ende një vendim, apo një marrëveshje”, deklaroi drejtori sportiv i “Milanit”. /o.l/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrijimi i KLP dhe KLGJ, Balla: Askush nuk mund ta ndalë procesin
Artikulli tjetërRuçi takon drejtues të partive shqiptare në Maqedoni