TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/- Drejtuesit e “Hungarian Watertechnology Corporation” në Hungari premtuan se do të jenë më shumë prezentë me projektet e tyre në Shkodër dhe Shqipëri.
Kjo u bë e ditur gjatë një vizite pune që kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, kryetari i kKëshillit bashkiak Xhemal Bushati, anëtarë të këshillit bashkiak, zhvilluan me drejtuesit e kësaj kompanie në Hungari.
Qëllimi i këtij takimi ishte finalizimi i bashkëpunimit të nisur me këtë sipërmarrje në shtetin hungarez, e cila ka një veprimtari të gjerë në disa shtete europiane dhe në Ballkan.
Ata u ndalën tek projekti që kanë realizuar në mbështetjen e ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizime Shkodër, ndërsa gjatë bashkëbisedimit me kryetaren Ademi dhe këshilltarët bashkiakë, u ndalën edhe tek dy bashkëpunime të reja që pritet të implementohen së shpejti në Shkodër.
Duke qenë një qytet i pasur me ujëra dhe duke parë bashkëpunimin e treguar nga bashkia Shkodër, drejtuesit hungarez u shprehën të gatshëm të jenë sërish prezentë me projektet e tyre në Shkodër dhe Shqipëri.
Shefi ekzekutiv i CEO, Adrián Kiss dhe bashkëpunëtorët e tij garantuan se projekti i parë me Shkodrën është pikënisja e një sërë nismash, që do të sjellin një realitet të ri në menaxhimin e burimeve ujore.
Delegacioni i këshillit bashkiak Shkodër e mbylli vizitën me një ftesë që përfaqësuesit e “Hungarian Watertechnology Corporation” të vijnë në Shkodër së shpejti. /k.s/j.p/























