TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka publikuar rezultatet e punës së Taskforcës për barnat, e cila ka ushtruar kontrolle në rrjetin e farmacive në vend për periudhën 13 shtator – 17 nëntor 2019.
Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 287 farmaci. Po ashtu, nga ana e taskforcës janë marrë 134 masa për shkelje administrative, 64 masa për dhënien e barnave pa recetë, 51 masa për mungesë të recetës sipas klasifikimit, 11 masa për barna pa pullë dhe 8 masa për mosrespektim të kushteve të ruajtjes së barnave.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se nuk do të ketë asnjë tolerancë për farmacitë që japin antibiotikë pa recetë, pasi ndikojnë edhe në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve.
Për këto arsye, Taskforca për barnat po intensifikon kontrollet në rrjetin e farmacive për dhënien e barnave pa recetë. /o.l/j.p/











