Ballina Lajme nga Vendi

Gjermania mbështet Shqipërinë në përmbushjen e reformave integruese

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ – Qeveria gjermane do të vijojë mbështetjen e saj për Shqipërinë në përmbushjen e reformave dhe në veçanti ato reforma të cilat kanë të bëjnë me integrimin Europian të vendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me një delegacion të përbërë nga deputetët socialistë Blerina Gjylameti dhe Ervin Bushati, si dhe zëvendësministrat Teuta Vodo dhe Julian Hodaj, zhvilluan një vizitë treditore në Gjermani ku patën një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të Qeverisë dhe të Bundestagut gjerman. Temat kryesore të këtyre takimeve ishin ecuria e Reformës në Drejtësi dhe Vettingu i gjyqësorit, Reforma Zgjedhore, ku vetë qeveria gjermane është investuar, si dhe rezultatet e fundit konkrete të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurisë publik. Më konkretisht delegacioni shqiptar paraqiti ecurinë e implementimit të Reformës në Drejtësi, ecurinë e kënaqshme të Vetting-ut që paraprin ngritjen e institucioneve të reja KLGJ dhe KLP, si dhe të BKH e SPAK.

“Në tre ditë qëndrimi në Gjermani patëm mundësinë të diskutojmë qoftë me përfaqësues të lartë të qeverisë, sikurse ishin dy takimet në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme, ku tre çështjet bazë të cilat diskutuam ishin pikërisht bashkëpunimi shumë i rëndësishëm në nivelin më të lartë politik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë të konkretizuar gjatë vitit 2018 me një sërë vizitash të dyanshme qoftë në Shqipëri, qoftë këtu në Berlin. Për ne është shumë e rëndësishme mbështetja e Gjermanisë; është vendi që në 27 vitet e tranzicionit ka asistuar ekonominë shqiptare në: ujësjellës, rrjet të transmetimit të energjisë elektrike dhe projekte të tjera. Për të gjitha këto, ne i jemi shumë mirë mirënjohës qeverisë gjermane, po ashtu i jemi shumë mirënjohës dhe kancelares Merkel, e cila ka meritën e veçantë në krijimin e Procesit të rëndësishëm të Berlinit, i cili tashmë ka filluar të japë rezultate konkrete.  Po ashtu është shumë e rëndësishme t’ju informoj se pjesë e diskutimit ishte edhe ecuria e deritanishme e Reformës në Drejtësi. Jemi shumë krenar që i kemi qëndruar fjalë për fjalë angazhimit tonë, qoftë përpara shqiptarëve, por qoftë edhe para partnerëve tanë në Berlin apo në Bruksel e Uashington. Për sa i përket ecurisë së reformës, Vettingu tashmë ka dhënë rezultatet e para. Si pasojë e këtij procesi të rëndësishëm të Vettingut jemi gati që në javët në vijim, janari besoj unë është momenti fundor, kur do fillojnë të marrin jetë KLGJ e KLP, si edhe shorti i ri për KED”, – theksoi Balla.

Fokus i takimeve ka qenë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe rendit publik, ku rezultatet e arritura deri më tani shprehin qartë angazhimin e institucioneve shqiptare në këtë betejë. Një element tjetër i rëndësishëm, i cili u diskutua gjatë takimeve ishte gjetja e rrugëve për  forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Për këtë, u nda vlerësimi i përbashkët se është shumë e rëndësishme që deputetët gjermanë, të landeve të ndryshme, me grupe të vogla apo të mëdha sipërmarrësish, të vizitojnë Shqipërinë. Nga diskutimet, delegacioni shqiptar mori mbështetjen e Qeverisë gjermane në përmbushjen e reformave, si mjeti i domosdoshëm në rrugën evropiane të Shqipërisë./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBibliotekë dixhitale në Universitete dhe kurse të anglishtes falas për studentët
Artikulli tjetërMADRID – Nëntë emigrantë të zhdukur në brigjet e Spanjës