TIRANË, 7 nëntor /ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi në Tiranë të martën një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jan Kees Martijn, Shefi i Misionit për Shqipërinë. Ky takim u zhvillua në kuadër të diskutimeve për Artikullin IV me misionin e FMN-së në vendin tonë.
Çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi ishin: zhvillimet makroekonomike dhe pritshmëritë për vitin 2019; rritja ekonomike për vitin 2018 dhe faktorët që kanë ndikuar; inflacioni dhe ecuria e tij; kursi i këmbimit dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë me qëllim me arritjen e objektivit të inflacionit; tregjet financiare; sistemi bankar, konsolidimi i tij dhe treguesit financiarë; ecuria e kreditimit; implementimi i ligjit për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka dhe roli i Bankës së Shqipërisë në këtë kuadër; kreditë me probleme, zbatimi i planit ndërinstitucional për reduktimin e tyre, si dhe pritshmëritë për këtë tregues për 2019; modernizimi i sistemeve të pagesave.
Në ditët në vijim, misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me drejtues të lartë pranë Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim diskutimin më në detaje të çështjeve të ndryshme lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit. /e.xh/j.p/























