Ballina Lajme nga Vendi

Shkodër, nis pastrimi i argjinaturës së Mushanit

TIRANË, 2 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Bashkia Shkodër ka nisur sot punën për pastrimin e argjinaturës së Mushanit në Njësinë Administrative Dajç, si masa parandaluese nga përmbytjet në pragun e ardhjes së stinës së dimrit.

Bashkia Shkodër shprehet se në Njësinë Administrative Dajç vazhdon puna për pastrimin e argjinaturës së Mushanit, në Rrugën e Sukajve.

“Prej disa ditësh përmes angazhimit të komunitetit më në nevojë për punë në shërbime publike, kemi përmirësuar shumë situatën në këtë argjinaturë. Përgjatë 1 km gjatësie të mbuluar nga bimësia e dendur dhe  e pa kalueshëm. Punëtorët kanë pastruar këtë argjinaturë nga shkurre e bimësi e lartë, nga mbetjet e ndotjet e sjella nga uji. Duke kryer një punë të mirë ata po japin një kontribut të rëndësishëm në impaktin për menaxhimin dhe minimizimin e pasojave në rast përmbytje”, shprehet bashkia.

Po ashtu, 17 kryefamiljarë të familjeve më në nevojë, të angazhuar në Dajç do të vazhdojnë të jenë pjesë e kontributit në përmirësimin e infrastrukturës mbrojtjes nga përmbytjet dhe në pastrimin e kanaleve kulluese.

Bashkia Shkodër, me mbështetjen e GIZ përmes FSHZH, “synon krijimin e një perspektive përmes punësimit dhe në të njëjtën kohë realizimin e punëve në dobi të komunitetit”. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTbilis, Shqipëria në konventën e 15-të të Këshillit të Europës
Artikulli tjetër9-mujori, të ardhurat u rritën me 9 miliardë lekë, investimet me 7,7%