TIRANË, 21 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/- “Barcelona” ka mundur “Sevillan” në javën e 9-të të kampionatit spanjoll. Një fitore 4-2, që ka ardhur pas 3 barazimesh dhe një humbje të marrë në katër takimet paraardhëse të luajtura nga skuadra e Valverde në La Liga dhe që ka dërguar katalanasit në vendin e parë të renditjes.
Por kjo fitore pati shije të hidhur për blaugranat. Gjatë sfidës Leo Messi, për shkak të një dëmtimi të pësuar në krahun e djathtë, u zëvendësua nga Ousmane Dembele. Leo Messi ka pësuar një frakturë në kockën e krahut të djathtë dhe do të qëndrojë për 3 javë larg fushave. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi.
Dëmtimi i Messi-t nuk ndikoi në rezultat, por fati i keq do që “Barcelona” të mos ketë të disponueshëm “pleshtin” për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj “Interit” dhe të fundjavës së ardhshme ndaj “Real Madrid”./e.caushi/








