PRISHTINE, 19 tetor /ATSH/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim ambasadorin e Maltës, jorezident në Kosovë, Godwin Pulis, kërkoi mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Haradinaj e njoftoi ambasadorin Pulis me progresin e arritur në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet europiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.
Duke e falenderuar për kontributin e Maltës dhënë për shtetndërtimin e Kosovës në të gjitha fazat e saj, Kryeministri Haradinaj, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral me këtë shtet mik edhe më tej, duke u fokusuar më shumë në bashkëpunim në fushën e arsimit dhe në fuqizimin e partneritetit ekonomik mes dy vendeve.
Po ashtu Haradinaj kërkoi nga ambasadori Pulis mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ambasadori Godwin Pulis, shprehu përkrahjen e Maltës për Kosovën, si dhe përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. /KosovaPress/j.p/



















