Ballina Aktualitet

Basha viziton familjet e viktimave në Mat

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë sot në Mat ku ka vizituar familjet e tre viktimave, të cilët humbën jetën nga sulmi në fshatin Shëlli.

Kreu i PD iu ka shprehur ngushëllimet familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe i ka uruar shërim të shpejtë të plagosurit.

“Së pari dua të shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia për tre familjet matjane që kanë humbur të dashurit e tyre, dy djem të rinj dhe një baba, bashkëshort në këtë ngjarje makabër, në këtë masakër ndërsa ishin në krye të detyrës. Sonte së bashku me kryetarin e bashkisë së Matit, kryetarin e bashkisë së Klosit deputeten Çupi, kryetarin e PD-së kemi qenë për ngushëllim tek familjet e Erzen Alisë, Mentor Hoxhës dhe Hamit Buçit dhe sapo kam vizituar dhe Astrit Hanin i cili për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Burrelit, të cilëve iu shpreh falënderim për kujdesin që kanë treguar për të”, u shpreh Basha.

Sipas Bashës ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por të gjithë shqiptarët.

“Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por gjithë shqiptarët dhe tregon kapitullimin total të shtetit për ballë krimit dhe gjendjen e pasigurisë që mbretëron nga Shëllia në qendër të Tiranës, nga Shkodra në Vlorë. Modeli nga i cili frymëzohen ngjarje të tilla kriminale është ai që duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga një model i një qeverisje të përkushtuar, një qeverisje që kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe është pranë tyre në ditë të vështira si kjo sot. I bëj thirrje kryeministrit ta çkyçë gojën që e përdor vend e pavend me fjalor harbut për çdo gjë, t’i ofrojë ngushëllime tre familjeve, familjarëve të kësaj masakre, t’i ofrojë siguri qytetarëve të Matit dhe gjithë Shqipërisë”, – theksoi Basha.

Basha theksoi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar do të jetë prioriteti i numër një i kësaj force politike./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBerat, kthim në identitet i monumenteve të kulturës
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e shtunë 13 tetor 2018