TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ka përfunduar protesta në mbrojtje të kufijve të Kosovës e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Protesta ka përfunduar e qetë dhe me një koncert në fund nga këngëtari Bim Bima.
Gjatë fjalimit të tij në protestë, lideri i VV-së, Albin Kurti, theksoi se kjo protestë paqësore dhe madhështore është për Thaçin dhe Vuçiçin, andaj presidenti Thaçi duhet t’i mbetet vetëm i së kaluarës.
“Thaçi as një cent sa ishte kryeministër nuk i dha luginës. Ne nuk pranojnë kthim të kohës së Rankovicit. Nuk pranojmë të japim Ujmanin dhe Trepçën dhe majën e Pancicit. Nuk mund të bëjmë marrëveshje me dikë i cili ka shpërfillur arritjet e këtij vendit. Thaçit nuk i beson askush. Aventura e Thaçit duhet të ngelet ashtu siç është… Ky president po e mban një kryeministër vetëm në një këmbë, sikur vet që është me një këmbë”, tha ai.
Ai shtoi se populli i Kosovës nuk e meriton një president si Thaçin.
“Ne kemi nevojë po ashtu edhe për një Qeveri të drejtë dhe të dinjitetshme. Ne kemi nevojë për zgjedhje për mirëqenie më të mirë”, tha ai./KosovaPress/j.p/





















