Ballina Aktualitet

Programi “100 fshatrat”, krijohet task forca për projektet në agroturizëm

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ – Krahas Akademisë “100 fshatrave” qeveria shqiptare për të ndihmuar që të interesuarit të realizojnë projekte për përfitimin e granteve të akorduara nga Komisioni Europian, do të ngrejë një task forcë që do të bëjë orientimin e tyre.

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit të “100 fshatrave” në Pusteç, u ndal te rëndësia e agroturizmit duke theksuar se “kjo task forcë do të merret specifikisht me projekte specifike, në mënyrë që çdo qindarkë që kemi në dispozicion mund ta hedhim në këtë iniciativë”.

“Ne jemi duke ndërtuar paralelisht me akademinë e “100 fshatrave” edhe një task forcë që do të merret specifikisht me projekte specifike, në mënyrë që çdo qindarkë që kemi në dispozicion mund ta hedhim në këtë iniciativë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë i ftoi emigrantët shqiptarë që të kthejnë sytë nga fshati, si një mënyrë shumëfishimi e të ardhurave të tyre.

“Ashtu sikundër kjo është një iniciativë, e cila nga natyra e vet dhe nga natyra e emigracionit në të gjitha zonat për të cilat prek programi, është e krijuar si me dorë për emigrantët, që kursimet e tyre t’’i investojnë në shtëpitë e tyre që kanë lënë, t’i investojnë në tokat që kanë lënë, për të ndërtuar një agroturizëm duke filluar nga një bujtinë e vogël, te një agroturizëm më i madh dhe për t’i kthyer kursimet në një investim që do të sjelli për ta siç sjell puna e përditshme që shumëkush e bën sot në Greqi, Itali apo në një vend tjetër në emigracion”, – përfundoi Rama./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia rrugore, masa drejtuesve të mjeteve për shkelje të rregullave
Artikulli tjetërFestivali ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve” zbret në Shkodër