SHBA – OKB-ja përforcon efektshmërinë e kaskave blu

NJU JORK, 22 shtator /ATSH-AFP/ – Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi sot njëzëri një rezolutë të propozuar nga SHBA-ja për të përforcuar efektshmërinë e Kaskave Blu dhe sanksionuar më ashpër rastet kur kontigjentet dështojnë në mbrojtjen e civilëve në misionet e paqes.

Vitet e fundit, shumë operacione paqeje janë njollosur nga aferat për abuzime seksuale apo mosveprime ndërkohë që civilët kërcënoheshin nga grupet e armatosura, kryesisht në Republikën e Afrikësqendrore dhe në Sudanin e Jugut.

Kjo rezolutë, e kritikuar nga Rusia sepse përpunimi i saj nuk i implikon mjaftueshëm vendet që kontribuojnë me trupa, parashikon në rast dështimi “penalizime me rimbursim drejt OKB-së, zëvendësim ose tërheqje të kontigjenteve”.

“Pas kritikave, kryesisht të bëra nga vendet që kontribuojnë aktualisht në 14 misione paqeje të OKB-së, ku janë mobilizuar rreth 100 000 kasak blu në botë, ky tekst është amenduar disa herë gjatë negociatave”, sipas burimesh diplomatike.

Në këtë tekst që titullohet “Veprim për të mbajtur paqen”, firmëtarët angazhohen kryesisht për të “promovuar zgjidhje politike”, për të përcaktuar “mandate të qarta (…) dhe të realizueshme”, “për të mbështetur performancën e mirë” të kaskave blu dhe për të respektuar “parimin e përgjegjësisë”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.