TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.
Sipas vendimit të qeverisë, Agjencia Kombëtare e Falimentimit është në varësi të ministrit të Drejtësisë dhe ka si mision sigurimin dhe përdorimin e mjeteve efikase për të ruajtur ligjshmërinë e procedurave të falimentimit, duke mbikëqyrur aktivitetin e administratorëve të falimentimit.
Agjencia siguron zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator që është efikas dhe eficient në fushën e falimentimit, si dhe zhvillon ndërgjegjësimin në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e të gjithë aktorëve të përfshirë në fushën e falimentimit.
Po ashtu, ajo mbikëqyr dhe drejton procesin e falimentimit duke inkurajuar zbatimin eficient e të shpejtë në përputhje me ligjin, si dhe kthimin e Agjencisë në institucionin e vetëm publik informues për çështjet e falimentimit në Shqipëri.
Agjencia mban dhe përditëson në formë shkresore dhe elektronike, regjistrin e administratorëve të certifikuar të falimentimit. Po ashtu, ajo ka të drejtë të mbikëqyrë dhe të kontrollojë, periodikisht, në çdo kohë, subjektet e licencuara prej saj, si dhe të kërkojë të verifikojë çdo informacion, të cilin e konsideron të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të ngarkuara me ligj.
Po ashtu, me një vendim të veçantë, Këshilli i Minsitrave miratoi edhe Kodin e Etikës për Administratorët e Falimentimit. /m.m/




















