TIRANË, 6 shtator /ATSH/- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Damian Gjiknuri, shprehu angazhimin e qeverisë se, “jo vetëm që do të përfundojnë të gjithë akset rrugore të hapura, por ato që kemi thënë që janë pjesë e programit të rrugëve do të mbyllen brenda këtij 4-vjeçari”.
Gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, Gjiknuri tha se, “do të mbyllet unaza e Tiranës, pra edhe pjesa lindore, edhe pjesa nga Pallati me Shigjeta tek sheshi ‘Shqiponja’. Kjo vepër do të mbyllet brenda këtij mandati. Do të mbyllet rruga Kardhiq-Delvinë”.
Gjithashtu tha ministri, përsa i përket bypass-eve të Fierit dhe të Vlorës, u zgjidhën kontratat e dështura me kompani të dështuara, për të mos thënë me lojëra me nënkontraktorë që i dinë të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Sot që flasim, ato procedura kanë vajtur për miratim në BERZH, pra procedurat e tenderit janë kryer transparente, janë përzgjedhur fituesit, pritet vetëm përgjigja e BERZH-it dhe brenda një muaji edhe këto 2 kantiere do të fillojnë. Vitin tjetër Bypass-i i Fierit do të jetë funksional”, – tha ai.
E njëjta gjë me rrugën e Elbasanit. Gjiknuri tha se shumë shpejt në Parlament do të vijë edhe shtesa e marrëveshjes së financimit për të përfunduar edhe këtë segment rrugor. Besoj brenda shtatorit do ta kemi të miratuar në Kuvend, do të kemi fondet në dispozicion dhe ky kantier do të fillojë. “Brenda vitit lidhja me tunelin do të bëhet e mundur dhe besoj brenda pak muajsh rruga do të dorëzohet e plotë me të gjithë parametrat e nevojshëm. Disa ditë më parë ka përfunduar edhe procedura për zgjidhjen e rrëshkitjes në pjesën e Elbasanit, edhe këto defekte të trashëguara që fatkeqësisht faturën e mbajmë ne dhe përfundimisht edhe ajo rrugë do të marrë drejtim dhe do të hapet përfundimisht ky aks i rëndësishëm kombëtar”, – deklaroi ministri.
Gjiknuri bëri me dije se, po përgatiten projekte të plota edhe për pjesë të tjera të rrugëve, siç është përfundimi i unazës së plotë të Tiranës, por edhe ndërhyrjet në disa akse të rëndësishme kombëtare të cilat do të kompletojnë rrjetin e plotë kombëtar shqiptar.
Ne synojmë një komunikim lëvizshmërie të pranueshme shumë të mirë, brenda standardeve europiane dhe mbi të gjitha që krijon interkonektivitet me rajonin, u shpreh Gjiknuri. /e.xh/j.p/











