Ballina Bota

AUSTRI – Shefja e diplomacisë përballet me kritika pas ftesës për Putinin

VJENË, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Ministria e Jashtme e Austrisë u përpoq të zbuste dëmin ndaj reputacionit të saj si pasojë e kritikave që shpërthyen pasi Ministrja e Jashtme Karin Kneissl ftoi Presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në dasmën e saj këtë fundjavë.

“Kjo është një ngjarje kryesisht private dhe vizitë personale, që nuk çon në ndryshim të qëndrimit të politikës së jashtme të Austrisë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, i cituar nga agjencia austriake e lajmeve APA.

Diplomatët vjenezë ruajtën marrëdhënie të afërta me Moskën gjatë Luftës së Ftohtë si dhe pas rënies së komunizmit dhe Austria është një ndër të paktat shtetet europiane që nuk i ka përzënë diplomatët rusë nga vendi pas helmimit të dyshuar të një agjenti të dyfishtë dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe.

Kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në ceremoninë martesore të dielën, e ka pozicionuar qeverinë e tij të djathtë në rolin e zbutësit të tensioneve mes Europës Perëndimore dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Hungarinë dhe Rusinë.

Austria mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian deri në fund të këtij viti.

“Nëse ftoni Vladimir Putinin në dasmën tuaj, atëherë nuk jeni më asnjanës”, u shpreh ligjvënësja ukrainase, Hanna Hopko, e cila mban postin e kryetares së komisionit parlamentar për çështjet e jashtme.

“Që sot e tutje, Austria s’mund të jetë ndërmjetëse në Ukrainë”, shtoi ajo.

/u.sh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – ”Amazon” gati për të investuar në kinematografi
Artikulli tjetërAXHENDA NDËRKOMBËTARE 17/8/2018