Ballina Ekonomi

Përfundimi i rrugëve, punonjësit e bashkisë Pukë heqin dorë nga pushimet

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ – Bashkia e Pukës vijon rrugën e saj drejt përmbushjes së nismës “asnjë fshat pa rrugë, ura dhe mullinj bloje”, ku punonjësit e kësaj bashkie së bashku me kryetarin kanë hequr dorë nga pushimet verore me qëllim përmbushjen e këtij objektivi. Teksa inspektoi hapjen e rrugës së Zezajve, një segment i degraduar si pasojë dhe e terrenit ku ndodhet, Gjonaj bëri të ditur se puna nuk do ndalet deri në pikën fundore të bashkisë së drejtuar prej tij, duke e cilësuar këtë një detyrim ndaj qytetarëve.
“Duke e ndjerë hapjen e rrugëve dhe përmirësimin e elementëve të tjerë të infrastrukturës si domosdoshmëri, unë sëbashku me një pjesë të stafit të bashkisë kemi vendosur që këtë vit të braktisim pushimet. Është një obligim që duhet kryer pa nisur reshjet e vjeshtës, ndaj po punojmë intensivisht për hapjen e rrugëve në fshatra, rrugëve që lidhin fshatrat me varrezat si dhe ndërtimin e urave e mullinjve të blojës”, – tha Gjonaj.
Prej kohësh bashkia e Pukës ka nisur punën duke hapur segmente të reja rrugore në fshatrat që nuk kanë lidhje me rrugë automobilistike, në rilidhjen e rrugëve të dëmtuara nga dimri, si dhe në pastrimin e akseve rrugore rurale ekzistuese, ndërkohë që po punohet për ndërtimin e urave që lehtësojnë banorët në zonat e thella malore të kësaj bashkie. /e.caushi/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIRI – Të paktën 12 civilë të vrarë pas shpërthimit të një depoje armësh
Artikulli tjetërVENEZUELË – Maduro pranon ndihmën e FBI për të hetuar mbi atentatin