TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot për situatën ekonomike në vend, ndërsa deklaroi se rritja reale ekonomike është minimale, 2.45%.
Përmes një deklarate për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho u shpreh se pjesën tjetër të rritjes ekonomike e zë shitja nga energjia elektrike, e cila nuk ndikon në rritjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Viti i pestë i qeverisë së Edi Ramës ka përkeqësuar ekonominë e familjeve shqiptare. Mungesa e investimeve dhe përqendrimi i ekonomisë tek disa klientë të kryeministrit kanë ndikuar për keq në ekonomi, e cila nuk ka rritje reale që të ndikojë në rritjen e punësimit apo hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Spaho.
Ai i konsideroi statistikat për rritje ekonomike në masën 4.45 %, përpjekje për të mashtruar shqiptarët.
“E vërteta është se zëri kryesor i të ashtuquajturës rritje ekonomike është energjia elektrike. Numrat janë të pagabueshëm! 66.4 % të rritjes ekonomike e zë energjia elektrike. Thënë ndryshe, rritja ekonomike prej 4.45 % ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut dhe shitjes së energjisë elektrike”, theksoi ai.
E zhveshur nga zëri i energjisë elektrike, sipas Spahos, ekonomia shqiptare rezulton keq e më keq, me një rritje minimale prej 2.5 %, sepse energjia elektrike nuk prodhon punësim, nuk hap vende të reja pune./m.m/























