Basha me qytetarët: Koha për ndryshim në Durrës

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me qytetarët e Durrësit, ku theksoi se tha se ka ardhur koha që demokratët bashkë me qytetarët të sjellin ndryshimin në Durrës pas shumë vitesh të asaj që ai e cilësoi “tirani mafioze e krimit dhe korrupsionit, arsyet kryesore të shkatërrimit të zgjedhjeve të lira”.

“Është kjo arsyeja që nuk i kërkoni dot llogari Gjushit. Se në fakt Gjushi, nuk e ka lidhur me ju, e ka lidhur me bandat fatin e tij në politikë. E për këtë arsye në një vend normal, nuk duhej të ishte në Bashki, por duhej të ishte në qeli”, u shpreh Basha

Takimi i Bashës me qytetarët e Durrësit përkoi me dy vjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në Drejtësi, e cila, siç vuri në dukje Basha, është një reformë e shkatërruar në themel.

“Reforma në Drejtësi është shkatërruar pikërisht për të mbrojtur Vangjush Dakon. Siç mbron kjo drejtësi e kapur, Sajmir Tahirin. Siç mbron kjo drejtësinë e kapur, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, dosjet e të cilëve nuk janë gjë tjetër, veçse pastrim i parave të pista të krimit me bashkëpunimin e Edi Ramës dhe bandës së tij qeveritare”, tha Basha.

Basha u kërkoi qytetarëve ta shihnin çështjen e Teatrit jo vetem si një aferë korruptive, por si çështje e lirisë së tyre personale, përsa kohë, tha ai “Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka marrë nën kontroll çdo pushtet”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.