Ballina Aktualitet

Pas KLGJ-së dhe KLP-së, Prokurori e Posaçme kundër korrupsionit

TIRANË, 11 korrik /ATSH- I. Vata/ Procesi i Vetingut i rëndësishëm për zgjedhjen e organeve në sistemin e drejtësisë dhe krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, do të bëjnë të mundur krijimin e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit që është dhe prioritet i qeverisë, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj raportoi në komisionin e ligjeve për rekomandimet e qeverisë në luftën kundër kriminalitetit. “Për vitin 2018 qeveria ka kërkuar përmirësimin e kuadrit ligjor për drejtësinë penale për të miturit, si dhe janë dhënë rekomandime për rritjen e kapaciteteve profesionale që merren më këtë kategori”, – tha Gjonaj.

Duke folur për bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë me Prokurorinë e Përgjithshme, Gjonaj tha se bashkëpunimi ndërinstitucional do të bëjë të mundur hetime të përbashkëta për çështje të korrupsionit.

“Ministrja e Drejtësisë ka patur bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, por do të vazhdojë të thellohet, përsa i përket cilësisë dhe shpejtësisë së veprimeve”, tha ministrja.

Debatet për reformën në drejtësi dhe krijimi i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë

Deputetja e LSI-së, Silva Caka kërkoi shpjegime nga ministrja e Drejtësisë për reformën në drejtësi.

Lidhur me faktin për krijimin e një Prokurorie të Posaçme kundër korrupsionit, Gjonaj tha që dihet se Ministria e Drejtësisë parashikon kompetenca shumë të qarta se kujt i kalojnë kompetencat dhe ata janë të këshillave të KLGJ dhe KLP.

Po ashtu, Gjonaj shtoi se Ministri i Drejtësisë monitoron se si po zbatohet reforma në drejtësi në të gjithë kuadrin e saj. Përsa i përket afateve të ngritjes së institucioneve të drejtësisë ne presim që kadidatët t’i nështrohen Vetingut dhe për dy muaj të ngrihen organet e drejtësisë.

“Reforma në drejtësi me procesin e Vetingut i dha një rezultat Shqipërisë, që konfirmon se reforma në drejtësi ka bërë progres dhe BE e konfirmoi këtë”, – tha Gjonaj.

Përsa i përket garantimit të pavarësisë së prokurorëve, Gjonaj tha se, “flasim për rekomandime që qeveria ia ka adresuar në 2017 Prokurorisë së Përgjithshme”.

Miratimi i ligjit për Shkollën e Mgjistraturës, i rëndësishëm

Ndërsa për ligjin për Shkollën e Magjistraturës, Gjonaj tha se ka shumë rëndësi që të zgjidhen të dy çështjet e propozuara. Për sa i përket ligjit të Shkollës së Magjistraturës, ju keni qenë prezentë këtu, ministri i Drejtësisë ka autorizuar zv/ministrin të jetë prezent gjatë diskutimeve për ligjin, tha Gjonaj.

Miratimi i ligjit për Magjistraturën ka shumë rëndësi që të zgjidhen të dyja çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet e propozuara; E para që t’i jepet mundësia Shkollës së Magjistraturës që të hapë vitin e ri shkollor, ku ne themi që po heqim nga sistemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe t’u jepet mundësia të hyjnë në këtë shkollë.

“Nëse ky ndryshim ligjor nuk miratohet, atëherë është e pamundur që Shkolla e Magjistraturës të hapë vitin e ri akademik dhe e dyta ka të bëjë me kategorinë e kandidatëve për magjistratë që kanë mbaruar studimet këtë vit”, – tha Gjonaj. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Ministri i Brendshëm Salvini kërkon ‘’garanci’’ për çështjen migratore
Artikulli tjetërVlora e turizmit gjithëvjetor, me pritshmëri optimiste për sezonin e verës