MOSKË, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Trajneri i ekipit të Polonisë, Adam Nawalka, në këtë post prej pesë vitesh, do të largohet nga detyra më 30 korrik, në vazhdën e eleminimit që në turin e parë të Botërorit-2018, njoftoi sot presidenti i Federatës polake, Zbigniew Boniek.
‘’Në vazhdim do të kërkojmë një trajner të ri’’, – tha Boniek gjatë një konference shtypi.
‘’Ndihem fajtor nga fakti që në Kupën e Botës nuk mundëm të realizonim as planet tona, as t’u përgjigjeshim pritshmërive të tifozëve’’, – pohoi Nawalka, në këtë detyrë që prej 1 nëntorit të vitit 2013.
Në Rusi, ekipi i tij humbi 1-2 përballë Senegalit dhe 0-3 kundër Kolumbisë, përpara se të fitonte 1-0 në ndeshjen e tretë, kundër Japonisë.
‘’Duke nisur nga muaji shtator ne duhet të nisim një fazë të re. Sinqerisht doja t’i shprehja një mirënjohje të madhe Adam Nawalkas për pesë vitet e punës së tij’’, – u shpreh Boniek./ /v.b/ a.jor.








