Ballina SPORT

Solidaritet i Islandës: Dhuratë e veçantë për nigerianin me leuçemi

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ – Djemtë e trajnerit islandez Hallgrímsson i dhanë kurajo portierit nigerian që humbi Kupën e Botës, sepse ishte i sëmurë rëndë.

Përtej futbollit, përtej konkurrencës. Gjest i bukur i lojtarëve të përfaqësueses së futbollit të Islandës, të cilët u paraqitën me një fanellë të veçantë përpara ndeshjes kundër Nigerisë. Fanella mbante emrin e Ikeme me numrin 1 të uniformës së tij.

Më pak se një vit më parë, Carl Ikeme, portieri 32-vjeçar i “Wolverhampton”, gjatë testeve rutinë të gjakut të bëra nga nga klubi i tij, është diagnostikuar me një formë të rëndë të leuçemisë. Që atëherë portieri, i lindur në Angli, por që luante për kombëtaren e Nigerisë, u detyrua të largohet nga futbolli i luajtur dhe të humbasë kështu mundësinë për të luajtur në një kupë bote.

Lojtarët islandezë donin të tregonin mbështetjen dhe inkurajimin e tyre në një ditë kaq të rëndësishme. Ideja ishte e Jon Dadi Bodvarsson, ish-bashkëlojtari i portierit të “Wolverhampton”, i cili së bashku me të gjithë shokët e tij të skuadrës dëshironin t’i uronin shërim të shpejtë. “Jemi një familje e madhe”, – tha kapiteni Aron Gunnarsson, ndërsa trajneri Heimir Hallgrimsson i Islandës donte të shpjegonte se “ky gjest tregon se ka gjëra shumë më të mëdha se futbolli”.

Ekipi kombëtar islandez ka pjesëmarrjen e tij të parë në një kupë bote. Diçka e paimagjinueshme për një vend me pak më shumë se 300,000 banorë, por shansi për të bërë histori nuk i ka tërhequr vëmendjen islandezëve për atë që është me të vërtetë e rëndësishme: solidaritetin njerëzor.

IKEME: “Jam duke u kuruar nga leuçemia”

Nëpërmjet rrjetit social “Instagram”, Carl Ikeme donte të ndante lajmin e mirë me të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë. “Pas një viti me kimioterapi intensive, unë dua t’ju njoftoj se jam duke u shëruar, – shkruan portieri. – Ende kam pengesa për ta kapërcyer, para se të mund të thuhet se jam shëruar, por më në fund mund të shoh para e të gjej pak normalitet”.

“Dua të falënderoj familjen time e të gjithë ata që kanë bërë të pamundurën duke më mbështetur. Është e vështirë të shpreh me fjalë mbështetjen që kam marrë nga “Wolves” dhe Nigeria, nga e gjithë bota e futbollit dhe njerëz të ndryshëm nga e gjithë bota. Nuk mund të falenderoj gjithkënd në spitalin “Christie” për kujdesin ndaj meje! Askush nuk e di se çfarë vjen më pas! Thjesht po përpiqem t’i marr gjërat me radhë siç edhe vijnë! /tgcom//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransformim rrënjësor i infrastrukturës rrugore ne Vlorë
Artikulli tjetërMagjia e Kroosit i jep Gjermanisë fitoren e parë kundër suedezëve