Ballina SPORT

Nuk kam një datë skadence

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Pas barazimit 3-3 kundër Portugalisë në ndeshjen e parë të grupit B në Kupën e Botës RUSI 2018, Spanja është duke u përgatitur për një përplasje vendimtare me Iranin. David Silva gjatë bashkëbisedimit me “MARCA” ka folur për rëndësinë e paraqitjes sa më mirë në Rusi, duke pasur parasysh moshën e tij 32-vjeçare.

A është e afërt dorëheqja nga kombëtarja?

“Pasi u kualifikuam për në Botërorin e Rusisë, unë jam ndjerë shumë mirë. Natyrisht, tani jam më i madh në moshë, por nuk kam një date skadence. Për aq kohë sa unë ndjehem në këtë mënyrë, do të vazhdoj të jem në dispozicion të kombëtares. Psikologjikisht kam qenë gjithnjë i fortë, përndryshe nuk do të isha prezent prej kaq kohësh, kur ta ndiej se nuk po kontribuoj më, do të ngre duart e do të them mjaft”.

Thuhet se Spanja di të fitojë vetëm me stilin e saj të zakonshëm, a qëndron kjo?

“Që nga viti 2008 nuk e kemi ndryshuar stilin tonë, ndryshojnë lojtarët, por mënyra e lojës mbetet e njëjtë. Të duhet të përshtatesh edhe kur fillon të punosh me një trajner tjetër.”

Si e kujtoni debutimin tuaj me kombëtaren 12 vjet më parë?

“Luis Aragones më dha gjithçka, më thirri në kombëtare në moshën 20-vjeçare dhe më futi në ekip pa ngurrim. Ai më dha besimin për të luajtur pa u shqetësuar për atë që ndodhte rreth meje. Julen (Lopetegui) gjithashtu tregoi besim të madh ndaj meje, kam qenë lojtari më aktiv pranë tij, por tani situata ka ndryshuar”.

Çfarë ka ndryshuar nga David Silva i 2006-ës?

“Duke u nisur nga përvoja, mendoj se tani jam një futbollist më i mirë. Loja e futbollit të pajis me aq shumë aftësi të larmishme, sepse çdo ndeshje në vetvete mbart një ritëm të caktuar. Pjesa më kritike është të dish si ta menaxhosh, sa më shumë të luash, aq më mirë arrin të kuptosh lojën, por preferoj David Silvën e vitit 2018, sepse ka përjetuar një futboll të nivelit shumë të lartë. Qetësia shpirtërore është thelbësore për arritjen e suksesit dhe deri tani kam luajtur më shumë se 120 ndeshje me skuadrën kombëtare.

Çfarë ka ndryshuar në lidhje me skuadrën kombëtare që nga ajo kohë?

“Shumë, shumë gjëra, është mënyra se si funksionon futbolli. Lojtarët dhe trajnerët ndryshojnë dhe duhet të përshtatesh me gjithçka”.

Çfarë prisni nga ky Botëror, mendon se mund ta përballosh i vetëm?

“Nuk më duket se ky është momenti im. Do të bëj atë që duhet të bëj, kam luajtur për 12 vjet me këtë ekip dhe karriera ime ndërkombëtare ka qenë fantastike, me shumë momente të mëdha. Brezat shkojnë e vijnë dhe unë kam qenë me fat që kam qenë pjesë e një ekipi fitues, kemi arritur gjëra të mëdha. Nuk kam për çfarë të ankohem. Sa i përket Botërorit të Rusisë, mendoj se gjëja më e mirë do të ishte të fitonim një tjetër kupë bote dhe për ta bërë këtë, duhet që të gjithë të luajnë mirë, e jo një lojtar i vetëm.

A do të jetë kjo pjesëmarrja jote e fundit në një botëror?

“A më shihni mua në një tjetër kupë bote? Në këtë moment jam i kënaqur duke luajtur futboll me ekipin, por nuk besoj se do të luaj në një tjetër kupë bote”.

Sa e rëndësishme është që lojtarët në pozitën tuaj të përfundojnë duke kontribuar brenda zonës së rreptësisë?

“Ne duhet të kontribuojmë në këtë aspekt, sepse e dimë se nuk ka shumë hapësirë ​​për sulmuesit, ne duhet të shënojmë. Në një kupë bote çdo moment është i rëndësishëm dhe ne të gjithë duhet të kontribuojmë”.

A e ka ndryshuar karrierën tuaj loja në krahë?

“Duke luajtur në këtë rol të jep më shumë këndvështrim, është më e lehtë, sepse ke dy mundësi”.

Ky vit ka qenë i vështirë për ju në nivelin vetjak, a ju ka bërë kjo më të fortë?

“Unë kam qenë gjithmonë i fortë. Ky është mentaliteti im, prandaj unë kam qenë kështu për një kohë kaq të gjatë. Ajo çka më ka ndihmuar është të filloj të shikoj jetën në një mënyrë të ndryshme. Perspektiva ime e gjërave ka ndryshuar dhe unë tani i kushtoj rëndësi gjërave që me të vërtetë kanë rëndësi”.

Çfarë ka ndryshuar te ti?

“Në fund, ndryshojnë veç prioritetet. Ka disa gjëra që mund të duken të thjeshta, si të jesh pranë familjes e miqve, por tani ajo që bëj më shumë është se i jap më shumë rëndësi detajeve të vogla”.

 

Çfarë ka ndryshuar Guardiola në stilin tuaj të lojës?

“Unë kam vënë gjithmonë një përpjekje të madhe fizike, tani po luaj më shumë nga qendra. Unë kam qenë në zhvillim, Pep më ka vënë në qendër dhe unë jam më i përfshirë në ndeshje”.

Çfarë tregon fakti se “Manchester City” ka më shumë lojtarë në Kupën e Botës?

“Epo, kjo tregon që po bëjmë gjërat e duhura. Pep e ka ndryshuar ekipin dhe i ka bërë rivalët tanë të mendojnë më shumë”.

Cili lojtar qendërsulmues i përshtatet më shumë ekipit spanjoll, sesa ai që është tërësisht i përqendruar tek pasimet?

“Të duhet të përshtatesh. E dimë se Diego Costa është më mirë në lojën në ajër ​​dhe se Aspas dhe Rodrigo vijnë më në thellësi për të marrë topin, ata janë dy lloje të ndryshme të numrit nëntë. Ata janë të gjithë lojtarë të mëdhenj, e njëjta gjë vlen edhe për mesfushorët”. /marca//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTunizi-Angli, përfundojnë në barazpeshë 45 minutat e para
Artikulli tjetërQyteti i Bordosë pret në vitin 2020 Kupën e Botës në futboll… të robotëve!