Ballina SPORT

RUSI 2018: Renditja e ekipeve përfaqësuese para fillimit të botërorit

TIRANË, 8 qershor/ATSH-ANSA/ Një javë para fillimit të Kupës së Botës në Rusi, del renditja e re e FIFA-s për muajin qershor. Shtatë vendet e para mbeten të pandryshuara me konfirmimet e Gjermanisë, Brazilit, Belgjikës, Portugalisë, Argjentinës, Zvicrës dhe Francës. Italia fiton një pozicion në krahasim me muajin e kaluar (majin) dhe rritet në pozicionin e 19 në renditjen e FIFA-s për muajin qershor. Fiton dy vende Polonia, kombëtarja e së cilës kalon nga vendi i dhjetë në vendin e tetë. Pas saj vijnë Kili dhe Spanja, të cilat mbyllin top-dhjetëshen e parë.

Ndër protagonistët pjesëmarrës të turneut RUSI 2018, Peruja renditet e 11-ta, Danimarka e 12-ta, e me radhë: Anglia, Uruguaji dhe Meksika. Nga të gjitha ekipet kombëtare që marrin pjesë në Kupën e Botës, përfaqësuesja e vendit organizator Rusia, është ajo që ka rezultatin më të ulët, sipas renditjes së nxjerrë nga FIFA. Sipas agjencisë Interfax, në versionin më të fundit të renditjes botërore të ekipeve përfaqësuese, ekipi kombëtar rus ka rënë nga vendi i 66 në atë të 70, një rekord negativ për këtë ekip gjithmonë simpatik në botërorët ku ka marrë pjesë. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKANADA – Europianët njëzëri kundër kthimit të Rusisë në G7
Artikulli tjetërVeseli takon diasporën shqiptare në Vjenë