https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155852156561523/
TIRANË, 2 qershor /ATSH- I. Vata/ – 1576 vende të lira pune të kategorive e profileve të shumëllojshme dhe ku Zyra e Shërbimit Kombëtar të Punës mundëson punësim real edhe për shumë individë nga familje të dala prej skemës së ndihmës ekonomike, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i pranishëm në Panairin e Punës në Elbasan.
Në fjalën e tij, Rama tha se “ky panair i punës është pjesë e zinxhirit të punës që po organizojmë në të gjithë vendin, pasi është një instrument për t’i adresuar njerëzit drejt zyrave të punës dhe për t’ua bërë të prekshëm informacionin për punësimin”.
“Sot në këtë hapësirë janë 1570 vende pune. Vende pune me pagat nga më të ndryshme. Ka vende puna për punonjës të thjeshtë, edhe për ekonomistë e financierë që kërkon formim të lartë dhe që paguhen me rroga të larta. Ju bëj thirrje të interesuarve të vijnë në këtë panair të interesohen për punë, ndërsa zyrat e punës janë gati të bëjnë formalitetet. Në zyrat e punës në qarkun e Elbasanit ka një ndryshim të madh, sepse zyrat e punës për çdo zyrë kanë krijuar një atmosferë të re dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në punësim”, – tha Rama. /a.g/



















