Ballina Lajme nga Vendi

Tre arinj shqiptarë strehohen në Itali

TIRANË, 28 maj/ATSH/ – Gianni, Sam dhe Mary u shpëtuan dhe tashmë ndodhen në shtëpinë e re të tyre, Bioparco, në Romë të Italisë. Bëhet fjalë për tre arinj të murrmë, të cilët nëse do të rrinin në Shqipëri, do të kishin një jetë gjithë keqtrajtime dhe shfrytëzime.

Mediet italiane kanë trajtuar çështjen e shpëtimit të tre arinjve shqiptarë, ku për mbrojtjen e tyre u përfshinë tri shoqata për mbrojtjen e kafshëve, Parku i Romës, Ministria e Turizmit në Itali dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për arinjtë vëllezër Gianni dhe Sam, të lindur në fillim të vitit 2017, dhe Mary një arushe, të cilët u shpëtuan nga kushtet ku jetonin.

Në Shqipëri, shkruajnë mediet italiane, arinjtë shkëputen nga nënat kur janë fare të vegjël dhe rriten nga njeriu, duke u përdorur si qenushë në rrugë në këmbim të fotografive apo në lokale për të tërhequr më shumë klientë, ku jetojnë në kafaze në kushte të rënda.

Tashmë tre arinjtë do të jetojnë në një zonë të ndërtuar enkas për ta, me elementë natyrorë. Shpëtimi i tyre u bë i mundur në sajë të denoncimit në rrjetet sociale.

Disa përdorues sinjalizuan në Facebook, se pronari i një hoteli në Shqipëri, mbante ilegalisht dy arinj të murrmë. Në atë moment ndërhynë autoritetet italo-shqiptare.

Bashkë me ta u transferua edhe Mary, e cila ishte shpëtuar disa kohë më parë. /n.lena/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Shfaqja ime e kukullave”, projekti që afron brezin e ri me artin e kulturën
Artikulli tjetërSa më pranë njerëzve, aq më të lumtur janë… delfinët