TIRANE, 17 maj /ATSH/ -Liga Botërore e Hipertensionit në bashkëpunim me Shoqatën Botërore të Hipertensionit si dhe organizata të tjera, do të promovojnë këtë vit, më 17 maj, Ditën Botërore të Hipertensionit me mesazhin “Njihni tensionin tuaj të gjakut”.
Qëllimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi i popullatës lidhur me presionin e gjakut, si dhe sfida që do të jetë depistimi i më shumë se 1.000.000 adultëve për tensionin e gjakut.
Rritja e presionit të gjakut është rreziku kryesor për vdekjen dhe paaftësinë në nivel botëror, kjo evidentuar sipas studimit të Barrës Globale të kohëve të fundit të sëmundjeve dhe e theksuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Një nga pengesat kryesore për kontrollin efektiv të hipertensionit është thjesht se, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm nëse tensioni i gjakut të tyre është i lartë.

Megjithatë, disa hapa të thjeshtë e të përballueshëm duhet të përfshihen në rutinën e përditshme për vlerësimin e presionit të gjakut, në programet e komunitetit dhe në vendet e punës, ku një rol të rëndësishëm mund të luajnë të gjitha institucionet shëndetësore.
Presioni i lartë i gjakut, i njohur në gjuhën mjekësore si hipertensioni, është faktor i madh rreziku për sëmundje të zemrës, goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe madje edhe sëmundjeve të syrit. Kur presioni i gjakut tejkalon një kufi të caktuar, ne e quajmë atë si tensioni i lartë i gjakut. E vetmja mënyrë për të gjetur se cili është tensioni juaj i gjakut, është matja e tij duke përdorur pajisjet matëse të pranueshme.
Sot tensioni i gjakut mund të matet në shtëpi nga vetë njerëzit, pra është lehtësisht i matshëm. /e.malaj/ /a.g/





















