Misteret dhe sekretet e bukurisë përrallore të Kakunjës
Misteret dhe sekretet e bukurisë përrallore të KakunjësHistoriku i fshatit daton që në kohën e pushtimit osman, ku Ali pashë Kakunja thuhet se është themeluesi i fshatit. Këtë fakt e vërtetojnë dhe provat që gjenden ne vendbanimet e hershme të fshatit në majën e një kodre, si edhe ullishta e fshatit, që thuhet se është mbi 500-vjeçare.https://ata.gov.al/2018/05/06/misteret-dhe-sekretet-e-bukurise-perrallore-te-kakunjes/
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 06.05.2018
TIRANË, 6 Maj/ATSH-Arbi Fortuzi/- Fshati Kakunjë shumë pranë Tiranës, vetëm 26 kilometra larg qendrës, bart sekrete të cilat duhet t’i vizitoni. Aty ndodhen tri ujëvara dhe një peizazh që vështirë se do ta harroni. Mes gjelbërimit, nën “vallen” e zogjve, të cilët edhe këndojë pa u lodhur, mes malesh valëzon përroi i Zhullimës, që është dhe një nga resurset parësore të fshatit Kakunjë. Rrjedha e këtij përroi ka dhe dy ujëvara mjaft të këndshme.
Njëra ujëvarë ndodhet pranë fshatit Kakunjë. Ndryshe ajo njihet edhe si ujëvara e “Shkëmbit të Askolajt”. Ajo ka një lartësi rreth 8-9 m dhe është pjesë e degëve që furnizojnë përroin e Zhullimës. Ujëvara është përherë me ujë, por në momente të pranverës dhe vjeshtës, pas shirave, ka më shumë prurje. Për të shkuar deri atje ndiqet rruga nga Tirana në Baldushk deri në fshatin Kakunjë.
Nga atje më pas ecet në këmbë deri tek ujëvara. Rruga është rrugë rurale në 3/4 e saj dhe vetëm një pjesë e vogël kalon përmes shtigjeve. Ajo është e thjeshtë dhe mund të bëhet nga çdo person, dashamirës i natyrës. Është një destinacion që bëhet shpesh nga guidat e natyrës dhe grupe personash me vetë-organizim.
Territori i fshatit ndodhet në një luginë që përshkohet nga përroi i Zhullimës dhe përbëhet nga fusha dhe kodra të vogla. Kodrat janë të veshura kryesisht me shkurre të llojit mare, iliqe, dëllinjë, shqopë etj. Gjithashtu fshati ka nën territorin e tij një sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh halore të llojit pishë. Si pikë e njohur turistike është ujëvara e Askolajt.
Në fshat banojnë rreth 500 banorë. Vendbanimet e tyre janë të përqendruara kryesisht rrëzë kodrave, por edhe në lagje. Vendbanimet janë ndërtesa 1-2 katëshe të ndërtuara 20 vitet e fundit. Banorët merren kryesisht me bujqësi (perime, fruta, ullinj) dhe më pak me blegtori (lopë, dele, shpendë shtëpiake si p.sh gjelat e detit). Gjatë 20 viteve të fundit, fshati ka marrë një zhvillim të dukshëm, si ekonomik ashtu dhe social.
Historiku i fshatit daton që në kohën e pushtimit osman, ku Ali pashë Kakunja thuhet se është themeluesi i fshatit. Këtë fakt e vërtetojnë dhe provat që gjenden ne vendbanimet e hershme të fshatit në majën e një kodre, si edhe ullishta e fshatit, që thuhet se është mbi 500-vjeçare. Kakunja e vjetër është e braktisur dhe banorët kanë zbritur të gjithë në Kakunjën e re, e cila ndodhet më poshtë. /r.e/ /a.g/

























