TIRANË, 30 prill /ATSH/ – “Presidentet” ishte premiera që shoqëroi publikun kryeqytetas gjatë fundjavës në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Vepra e shkruar nga Werner Schawab erdhi nën regjinë e austriakes Sabine Mitterecker.
Presidentet janë dy pensioniste me të ardhura minimale dhe një pastruese tualetesh me iluzione fetare. Këto tre personazhe erdhën në skenë të interpretuara nga aktoret e njohura Ermira Gjata, Eni Jani dhe Adriana Tolka.
“Presidentet” e Werner Schawab nuk i bien në qafë askujt, nuk shërbejnë më për të ardhura ekonomike dhe janë të paafta për të lindur trashëgimtarë. Ato veçse frymojnë dhe kënaqësia e tyre vjen duke u shtuar nga të folurit, të dërdëlliturit në çdo frymëmarrje, që ndërpret agoninë e dhimbjes së heshtur. Bota e tyre endet rreth tryezës së një kuzhine dhe vetëm një racion mishi u jep atyre shijen e jetës së mirë.
Erna, Grete dhe Marile janë të venitura dhe as nuk duan t’ia dinë që ne i mëshirojmë. Triumfi i tyre qëndron vetëm tek të ekzistuarit. Ajo ekzistencë nuk frymëzon mençurinë e të nënshtruarve,të cilët mund ta paramendojnë botën e ardhshme, çka ato thonë është po aq e gabuar, sa dhe kushtet e ekzistencës së tyre. Çdo fjali, me fjalë të rrumbullakosura në gjuhën e tyre, u jep atyre pushtet dhe për këtë duhet luftuar me bindje, truk e dredhi deri edhe me vrasje dhe goditje vdekjeprurëse. Ashtu siç bëjnë edhe presidentët dhe presidentet në botën e madhe. Por ekziston edhe nostalgjia për diçka krejt tjetër. Jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për t’u bërë i dallueshëm në veçantinë e vet, pangatrrueshmërinë e vet.
Mënyra e të shkruarit e Schwab-it, që në kohërat kur ai jetoi jo gjatë, ishte një sensacion. Me forcën dhe poezinë e teksteve të tij, ai ndryshoi teatrin, si asnjë autor dhe autore gjermanishtfolës.
Shfaqja “Presidentet” do të vazhdojë të shfaqet për publikun çdo fundjavë deri më datë 20 maj. /a.a/ /a.g/













