Ballina Kosova

Mbështetje për masivizimin e sportit tek të rinjtë e trevës së Hasit

PRISHTINE, 15 Prill/ATSH/- M​inistri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga deputeti Nezir Çoçaj, vizituan Klubin Futbollistik “Drini i Bardhë” në Gjonaj të Hasit.

Ministri Gashi, me kryesinë e klubit bisedoi për sfidat dhe problemet infrastrukturore me të cilat përballet klubi hasjan me traditë shumë vjeçare.

Mungesa e një fushe sportive për përgatitjen e lojtarëve por edhe për zhvillimin e garave e ndeshjeve si dhe organizimi i turneve, ishin shqetësimet që shprehën sportdashësit.

Ministri Gashi premtoi se Ministria e Sportit dhe ai vet si ministër do të angazhohen që gjatë këtij viti të fillojnë investimet në rregullimin e fushës sportive të fshatit Gjonaj.

“Ministria do të investojë në Gjonaj, me qëllim që KF ‘Drini i Bardhë’ të këtë hapësirën e duhur për zhvillimin dhe masivizimin e sportit dhe aktivizimin e të rinjve të trevës së Hasit, e cila ka talente të jashtëzakonshëm e sportistë të dalluar”, u shpreh ai.

Ndërkaq, udhëheqësit e klubit dhe futbollistët e mirëpritën zotimin e ministrit për të investuar në infrastrukturë në mënyrë që sportistët dhe të rinjtë hasjanë të kenë një vend të standardeve për të ushtruar e zhvilluar aktivitetet e tyre futbollistike. /kosovapress/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryeministri bullgar vizitë zyrtare në Kosovë
Artikulli tjetërITALI – Media: Vdes në moshën 88 vjeçare regjisori Vittorio Taviani