PRISHTINË, 13 prill /ATSH/ – Posta e Kosovës ka nxjerrë në qarkullim dy pulla postare të titulluara “Qytetet e Kosovës – Gjilani”, me pamje nga periudha të ndryshme kohore të qytetit.
Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha tha se “pullat postare janë dy pamje të Gjilanit, ajo e vitit 1925 dhe e vitit 2018, si simbolikë e të resë me të vjetrën”.
“Kryetari Haziri ka mundësuar që shërbimet e Postës së Kosovës të jenë sa më afër qytetarëve të Gjilanit. Bashkëpunimi ynë në interes të qytetarëve të kësaj komune do të zgjerohet edhe më tej”, theksoi Hoxha.
Ndërsa kryetari i komunës Haziri, u shpreh se “është nder i veçantë për Gjilanin që tashmë e kemi pullën postare dhe ju falënderoj shumë për këtë. Mund të them se kjo është ditë historike për qytetin tonë”.
Komuna e Gjilanit, e ndodhur në pjesën juglindore të Kosovës në trevën e Anamoravës, është një prej komunave më të mëdha të Kosovës, me sipërfaqe prej 525 km2 dhe përbëhet nga 63 fshatra. Rrethinën e Gjilanit e përkufizon lumi Morava e Binçës, i cili mbledh gjithë lumenjtë e vegjël. Ndërsa në juglindje rrethohet nga Malet e Karadakut. Pozita gjeografike, relievi dhe faktorët klimatikë, krijuan mundësinë e zhvillimit të një flore dhe faune mjaft të pasur.
Komuna e Gjilanit ka qenë gjithnjë vatër e rezistencës dhe sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo komunë i ka dhënë Kosovës shumë kuadro profesionale, në të gjitha fushat.
Posta e Kosovës, përmes pamjeve të pullave postare, do të vazhdojë në promovimin e vlerave dhe bukurive që ka Republika e Kosovës. /Kosovapress//k.s/
























