TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Shqipëria dhe Austria kanë nënshkruar së fundmi një protokoll bashkëpunimi ekonomik.
Siç bën të ditur ambasada e Shqipërisë në Vjenë, ky protokoll bashkëpunimi u nënshkrua gjatë sesionit të VII të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Austri për Bashkëpunimin Ekonomik.
Për palën shqiptare bisedimet u drejtuan nga Albana Shkurta, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe për palën austriake nga Franz Wessig, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë Federale për Dixhitalizimin dhe Ekonominë të Republikës së Austrisë.
Në përbërje të delegacionit austriak bënte pjesë Ambasadori Klaus Woelfer, Drejtor për Europën Juglindore në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë. Për palën shqiptare, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përfaqësohej nga Ambasadori Roland Bimo.
Në përfundim të bisedimeve, bashkëkryetarët e Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Austri, Albana Shkurta dhe Franz Wessig nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit
Pas prezantimit të situatës ekonomike në të dy vendet nga kryetarët e delegacioneve dhe të gjendjes së marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe perspektivës së tyre, palët shkëmbyen mendime për bashkëpunimin financiar, dixhitalizimin, e-Government, përfshi arsimin dhe shëndetësinë.
Pjesë e bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi për mbrojtjen e ambientit, zhvillimin e arsimit profesional, minierat, etj.
Po ashtu një vend të veçantë zuri roli dhe kontributi i Agjencisë Austriake për Zhvillim, ADA.
Në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë u diskutua për marrëdhëniet e Shqipërisë me BE, Procesin e Berlinit, Twining dhe projekte të tjera të financueshme nga BE.
Pala austriake paraqiti prioritet e Presidencës austriake të BE, 1 korrik – 31 dhjetor 2018. Këto prioritete përfshijnë mbështetjen e Austrisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë, mbështetja për hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit tonë me Bashkimin Europian.
/e.malaj//e.caushi/






























