Ballina Ekonomi

Lushnja, kryeqendra e eksporteve bujqësore

600 mjete furnizohen çdo ditë në tregun bujqësor Lushnje

TIRANE, 8 prill /ATSH/- Eksportet e perimeve nga qyteti i Lushnjes po zgjerohen çdo ditë e më shumë.

600 mjete hyjnë çdo ditë në tregun qendror të shumicës së fruta-perimeve në Lushnje dhe furnizohen me prodhime të freskëta bujqësore.

Kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, tha për ATSH-në, se përveç mjeteve nga rrethe të ndryshme të vendit, që furnizohen me produkte bujqësore që prodhohen në zona të ndryshme të kësaj bashkie, në këtë treg vijnë edhe shumë mjete të tjera të huaja. Eksportet bujqësore nga tregu i Lushnjes shkojnë kryesisht në Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Itali Rusi etj.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2017 eksporti i perime të freskëta nga Bashkia Lushnje u rrit në 111 596 tonë, kundrejt 85 868 tonë që ishin eksportet në vitin 2016.

Ndërsa vetëm për periudhën janar – mars 2018, eksportet bujqësore nga kjo zonë kanë kapur shifrën e 8 200 tonëve.

Në Lushnje funksionojnë disa tregje të grumbullimit të produkteve bujqësore, të cilat janë lidhur me eksportues të ndryshëm jo vetëm nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian por po zgjerojnë hartën e prodhimeve “Made in Albania” edhe në vendet nordike, Norvegji e Suedi.

Në Lushnje tashmë fermerët kanë rritur prodhimet jo vetëm me kultura bujqësore tradicionale, por po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella edhe me manaferra, luleshtrydhe dhe në zonën e Divjakës ka filluar kultivimi i kërpudhave, mjaft të kërkuara për eksport.

Ili Koço fermer nga fshati Kolonjë e Lushnjes, shprehet se në fermën e tij kultivon prej 30 vitesh prodhime tradicionale bujqësore, që nga domatet, kastravecat, patëllxhanët etj.

“Para 4 vitesh unë i shisja vetë prodhimet e fermës time, në tregun e shumicës, por tani kam vendosur bashkëpunim me një tregtar në Tiranë dhe e kam të sigurt shitjen e të gjithë prodhimit nga serat e mia.

Produktet bujqësore që prodhoj në serat e fermerës time janë cilësore dhe mjaft të kërkuara nga konsumatori vendas, por edhe ai i huaj,” thotë Koço.

Edhe Aleksandër Muço, një fermer në fshatin Krutje të Lushnjes, na tregon se është shumë i kënaqur me prodhimin që merr nga 6 hektarë tokë të mbjellë, (2 ha me rrush dhe 4 ha me perime në sera).

“Rreth 80% e prodhimit të fermës time eksportohet në vendet e rajonit, Kosovë, Mal i Zi, Itali, Serbi e Norvegji,” thotë ai.

Prodhimet nga ferma ime i tregtoj nëpërmjet pikave të eksporteve në Lushnje drejtpërdrejt mbi bazën e kontratave dhe kërkesave, duke garantuar cilësi dhe prodhime me standarde, sipas kërkesës së konsumatorëve në tregjet e huaja.

Ecuria pozitive e këtij biznesi më ka përmirësuar të ardhurat në familjen time dhe më nxit ta zgjeroj më shumë këtë aktivitet në të ardhmen,” thotë Muço. /e.xh//e.caushi/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia i jep zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm tre lagjeve në Tiranë
Artikulli tjetërProtesta e opozitës, Policia e Shtetit procedon penalisht organizatorët