TIRANË, 30 Mars/ATSH/.- Këshilli i Ministrave miratoi hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët drejtuese edhe për kandidatë të tjerë jashtë Shërbimit Civil, për vitin 2018.
Nisur nga fakti se për vitin 2018, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët drejtuese me lëvizje paralele u mbyll pa fitues, qeveria vendosi që ajo të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
“Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është 61 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 10, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, thuhet në vendimin e qeverisë./m.m/























