Programi “Rrugët e Besimit”, restaurohen disa objekte kulti në Delvinë

331

TIRANË, 13 Mars /ATSH/ Faza e tretë e punimeve restauruese në kishën e “Shën Kollit” në Mesopotam do të fillojë gjatë muajit gusht, ndërsa punimet restauruese në xhaminë e Gjin Aleksit në Rusan, Delvinë po ecin sipas të gjitha parashikimeve, ku së shpejti vizitorët vendas e të huaj do të mund të shijojnë vlerat e veçanta kulturore që ajo ka transmetuar përmes shekujve deri në ditët e sotme.

Këto dy objekte kulti me status monument kulture, u inspektuan nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fundjavës gjatë një vizite pune në qarkun e Vlorës, nga ku tha se “trashëgimia kulturore, ka një potencial të jashtëzakonshëm, për t’u bërë motor zhvillimi turistik dhe për të prodhuar ekonomi duke ruajtur në të njëjtën kohë pasuritë kulturore”.

Kumbaro theksoi se këto objekte kulti që po restaurohen janë ofertat e reja turistike të programit “Rrugët e Besimit”, nga jugu në veri.

Xhamia e ‘Gjin Aleksit’ është vetëm një nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, po ofrojmë vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar”,  u shpreh ministrja Kumbaro pasi pa nga afër punimet në këtë objekt tejet të veçantë të trashëgimisë sonë kulturore, që mendohet se është ndërtuar në vitet 1600 mbi rrënojat e një manastiri me stil bizantin.

Ndërsa në Finiq, Kumbaro pa nga afër ecurinë e punimeve restauruese e konsoliduese në kishën e “Shën Kollit” në Mespotam, një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera të rralla. Muret e jashtme të saj janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj, ndërsa dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm.

Gjatë inspektimeve, ministrja Kumbaro shoqërohej edhe nga ministri i infrastrukturës dhe Energjisë  Damian Gjiknuri. /m.z//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.